Close

KU MË DËRGOI XHELOZIA?

Një vajzë e cila jeton në një harem në Mekë, rrëfen dhe thotë:

Brenda haremit në Mekë, vërejta një plakë që falej, qante dhe i ngrinte duart duke e lutur Allahun. Më herët nuk kisha parë dikë sikur kjo plakë. Prandaj, më lindi kureshtja që të shkoj, të ulem pranë saj dhe ta pyes për gjendjen që ka.

Ndërkohë, iu afrova dhe i thashë: Oj nëna ime, ç është problemi me ty? E shoh se qanë shumë. Çështë halli yt?

Qaj nga dënimi i vetes, ma ktheu ajo.

Si ashtu?, e pyeta e habitur.

Isha e martuar me një burrë dhe e dashuronim njëri-tjetrin marrëzisht, mirëpo, Allahu nuk na furnizoi me fëmijë. Kjo filloi që të ndikojë në jetën tonë dhe kështu fillova që të mërzitem për burrin tim, saqë i propozova të martohet me një grua të dytë, tha plaka. Ai refuzoi menjëherë, mirëpo unë këmbëngulja në kërkesën time me ditë, me javë e me muaj, derisa në fund pranoi. Kështu, ai zgjodhi një vajzë, u fejua dhe u martua. Pas një kohe, në zemrën time filloi të paraqitet një zjarr xhelozie kur e shihja se ai anon më shumë nga gruaja tjetër se sa nga unë, sidomos kur ajo mbeti shtatzënë dhe i lindi një djalë të bukur.

Çdo ditë më shtohej zilia dhe xhelozia ndaj saj, sidomos kur e shihja se asaj i afrohej më shumë se sa mua. Një ditë erdhi dhe më tha se dëshiron të udhëtojë me gruan e re dhe se do të ma lërë fëmijën mua. Unë pranova pa diskutim për arsye se nuk kishte kush të kujdeset për të përveç meje.

Ditën e parë të udhëtimit fëmija qëndronte para meje dhe luante. Ishte një natë dimri e ftohtë dhe acari. I mora disa dru dhe e ndeza zjarrin që të ngrohet dhoma. Fëmija duke lozur iu afrua zjarrit dhe e kapi një gacë! Unë shpejtova drejt tij, mirëpo në vend që tia largoja dorën nga zjarri, unë ia mbajta edhe më tepër derisa dora e tij u shkrumbua mbi zjarr.

U qetësua zjarri i zemrës sime, mirëpo nuk u fik tërësisht. Disa orë pas kësaj ndodhie, më erdhi lajmi se burri im dhe gruaja e tij e re kishin bërë një aksident dhe kishin vdekur që të dy! U ndjeva e vetmuar, pa askënd afër, përveç fëmijës me dorë të djegur.

Fëmija filloi të rritet, kurse, ndërkohë, dashuria ndaj tij filloi të më shtohet dhe ai gjithashtu më donte shumë. Ai u bë përgjegjësi im, ai përkujdeset për mua dhe i kryen nevojat e mia.

Me mua ka qenë gjithmonë i butë dhe i sjellshëm duke i respektuar ligjet e Allahut dhe duke më thirrur nënë. Çdo herë kur më thërret me këtë emër, zemra ime digjet nga pikëllimi e mërzia dhe çdo herë kur e shoh dorën e tij të djegur, zemra ime copëtohet dhe qaj shumë. Nuk e di si do të ishte gjendja ime pa këtë fëmijë.”

Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini. (El- Bekare : 216).

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *